Kolonoskopia


Kolonoskopia

Kolonoskopia është një ekzaminim endoskopik i traktit të poshtëm tretës që lejon mjekun të shikojë drejtpërdrejt brendësinë e zorrës së trashë (kolonit) dhe rektumit, për të identifikuar inflamacione, gjakderdhje, polipe, ulçeracione ose ndryshime të dyshimta.

Ky ekzaminim kryhet me një tub fleksibël shumë të hollë (kolonoskop) i pajisur me kamerë dhe dritë, i cili futet nëpërmjet kanalit anal dhe transmeton imazhet në një monitor, duke mundësuar vlerësim të saktë të mukozës së zorrës së trashë.

Kolonoskopia konsiderohet “gold standard” (standarti i artë) për zbulimin e sëmundjeve të zorrës së trashë dhe për parandalimin e kancerit të zorrës së trashë, sepse gjatë saj mund të zbulohen dhe hiqen polipet para se të shndërrohen në kancer.

Kolonoskopia

Çfarë është kolonoskopia?

Kolonoskopia është një procedurë diagnostikuese dhe terapeutike që përdoret për:

  • Vlerësimin e dhimbjeve kronike të barkut.
  • Gjakderdhjet nga zorra e trashë.
  • Ndryshimet e zakonit të jashtëqitjes (alternim i diarresë me konstipacionin).
  • Konstipacion ose diarre kronike.
  • Rënie të paqëllimshme dhe/ose të pashpjegueshme në peshë.
  • Aneminë e pashpjeguar.
  • Dyshimet për polipe, ulçera, tumore ose kancerin e zorrës së trashë.

Gjatë procedurës, mjeku mund të marrë edhe biopsi (mostra indore) për analiza të mëtejshme laboratorike, si dhe të heqë polipe nëse është e nevojshme.

Fakt i rëndësishëm 📊

Kanceri kolorektal është ndër 3 kanceret më të shpeshta në botë dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri. Në vitin 2025, janë diagnostikuar rreth 150,000 raste të reja vetëm në SHBA. Kjo e bën kolonoskopinë një mjet kyç jo vetëm diagnostikues, por edhe parandalues.


Kur rekomandohet kolonoskopia?

Kolonoskopia rekomandohet kur pacienti paraqet:

  • Gjak në jashtëqitje.
  • Ndryshime të zakonit të jashtëqitjes (diarre ose konstipacion të zgjatur).
  • Dhimbje kronike barku.
  • Rënie të pashpjeguar në peshë.
  • Anemi pa shkak të qartë.
  • Dyshim për sëmundje të zorrës së trashë.

Kolonoskopia është gjithashtu ekzaminimi bazë për parandalimin e kancerit të zorrës së trashë dhe rekomandohet të kryhet edhe pa ankesa tek personat mbi 45 vjeç, ose edhe më herët tek ata me histori familjare.

Pse është kaq e rëndësishme pa simptoma? 🩺

Në fazat e hershme, kanceri i zorrës së trashë shpesh nuk jep simptoma. Shumë pacientë diagnostikohen vetëm kur sëmundja ka avancuar. Kontrolli me kolonoskopi ul ndjeshëm rrezikun e vdekshmërisë, sepse polipet hiqen para se të bëhen malinje.


Si kryhet procedura?

Kolonoskopia kryhet në kushte të kontrolluara mjekësore dhe zgjat zakonisht nga 15 deri në 30 minuta, në varësi të anatomisë së zorrës dhe gjetjeve gjatë ekzaminimit.

Gjatë kësaj procedure:

  • Pacienti shtrihet në anën e majtë me këmbët lehtësisht të mbledhura.
  • Kolonoskopi futet nëpërmjet kanalit anal dhe avancon gradualisht përgjatë gjithë gjatësisë së zorrës së trashë.
  • Për të pasur pamje të plotë, insuflohet ajër ose CO₂ për të shpalosur mukozën.
  • Mjeku vëzhgon mukozën dhe merr biopsi ose heq polipe nëse është e nevojshme.
Kolonoskopia

Sedacioni:

Kolonoskopia në praktikë kryhet gjithmonë nën sedacion, për rehati maksimale dhe për një ekzaminim sa më të qetë e të saktë. Vetëm në raste shumë të rralla mund të kryhet pa sedacion, sipas vlerësimit mjekësor dhe preferencës së pacientit.

Fakt praktik 📊

Mbi 15 milionë kolonoskopi kryhen çdo vit vetëm në SHBA. Studimet tregojnë se kjo procedurë ka ulur vdekshmërinë nga kanceri kolorektal me mbi 60%.


Si të përgatitemi për kolonoskopinë?

Përgatitja e saktë e zorrës është thelbësore për rezultate të sakta.

Hapat kryesorë që duhet të ndiqni janë:

  • Ndjekja rigoroze e përgatitjes për kolonoskopi të dhënë nga mjeku ose institucioni shendetësor.
  • Përdorimi i solucioneve laksative sipas udhëzimit mjekësor.
  • Mos konsumimi i ushqimit në ditën e ekzaminimit (sipas orarit që ju caktohet).
  • Informimi i mjekut për çdo medikament që merrni.

Për udhëzimet e sakta dhe të personalizuara, ju lutem konsultohuni me udhëzimin e përgatitjes për kolonoskopi.

Nëse këto udhëzime nuk ndiqen në mënyrë rigoroze, kolonoskopia nuk mund të kryhet ose mund të duhet të përsëritet.

Fakt i rëndësishëm ⚠️

Përgatitja jo e plotë është arsyeja kryesore pse kolonoskopitë dështojnë ose japin rezultate të pasakta.


Çfarë ndodh pas procedurës?

Pas kolonoskopisë:

  • Për shkak të ajrit të futur brenda në zorrë, ju mund të keni fryrje barku, gazra dhe dhimbje barku, nga disa minuta deri në disa orë pas ekzaminimit.
  • Mund të ndjeni përgjumje, pasi procedura kryhet me sedacion.

Për shkak të sedacionit, ju duhet që për 12 deri në 24 orët e ardhshme të MOS:

  • Ngisni automjet, motoçikletë ose biçikletë;
  • Përdorni makineri të rrezikshme;
  • Nënshkruani dokumente ligjore;
  • Merrni vendime të rëndësishme;
  • Konsumoni alkool;
  • Merrni qetësues ose pilula gjumi (përveç rasteve kur janë të përshkruara nga mjeku).

Mbikëqyrja:

  • Një i rritur përgjegjës duhet t’iu shoqërojë deri në shtëpi.
  • Nuk duhet të jeni vetëm për të paktën 6 deri në 12 orë.

Ushqimi dhe pijet:

  • Filloni me ujë sapo të jeni zgjuar plotësisht dhe të ndjeni fytin e çmpirë.
  • Nëse nuk keni të përziera mund të konsumoni një vakt i lehtë pas 1–2 orësh.
  • Shmangni ushqimet shumë të nxehta, pikante ose të rënda për të paktën 24 orë.

Aktiviteti:

  • Pushoni për pjesën e mbetur të ditës.
  • Aktiviteti normal zakonisht rifillon ditën pasardhëse.

A është kolonoskopia e rrezikshme?

Kolonoskopia është një procedurë shumë e sigurt. Komplikacionet janë të rralla, por gjithsesi të mundshme. Më të zakonshmet mund të përfshijnë:

  • Gjakderdhje të lehtë pas biopsisë ose heqjes së polipeve.
  • Infeksion, në raste shumë të rralla.
  • Perforim të murit të zorrës së trashë (jashtëzakonisht i rrallë – afërsisht 5 në 10'000 raste).
  • Reaksione ndaj sedacionit.

Mjeku ju informon paraprakisht për çdo rrezik të mundshëm dhe merr masat maksimale për sigurinë tuaj.


Pyetje të shpeshta


A është kolonoskopia e dhimbshme?

Zakonisht jo, sepse kryhet me sedacion. Pas procedurës mund të keni fryrje/gazra përkohësisht, të cilat mund t’iu japin dhimbje barku për një kohë të shkurtër.

Sa kohë zgjat?

Zakonisht nga 15 deri në 30 minuta, vetëm si procedurë. Por, duke llogaritur kohën e pritjes në klinikë, vizitën paraprake, ekzaminimet e tjera të mundshme (si p.sh. ekografi abdominale), analizat e mundshme laboratorike dhe përgjigjen finale, ju duhet të llogarisni rreth 2 deri në 3 orë kohë të shpenzuar.

Kur dalin rezultatet?

Rezultatet vizuale dhe raporti mjekësor jepen menjëherë pas procedurës. Përgjigjet e biopsisë kërkojnë disa ditë.

Ku mund ta kryej kolonoskopinë?

Kolonoskopia kryhet në Klinika Kajo në Tiranë, pranë Pallatit të Sportit Asllan Rusi. Për më tepër informacion rreth lokacionit shikoni faqen e kontaktit.

A mund të shkoj në punë pas procedurës?

Për shkak se kolonoskopia kryhet në sedacion, atëherë është mirë që ajo ditë të bëhet pushim. Pacientët që dalin nga procedura e sedacionit nuk duhet të ngasin automjete, të përdorin makineri të rrezikshme, të konsumojnë alkool ose të marrin vendime ligjore për 12 deri në 24 orët e ardhshme.


Kush e kryen kolonoskopinë në Klinika Kajo?

Kolonoskopia kryhet nga gastroenterologët tanë me përvojë, duke përdorur pajisje moderne dhe protokolle të avancuara sigurie.


Rezervoni kolonoskopinë në Klinika Kajo

Nëse keni simptoma që kërkojnë vlerësim endoskopik ose dëshironi një kontroll parandalues, stafi ynë është gati t’ju ndihmojë.

Rezervoni kolonoskopinë tani👉


Rishikuar nga Prof. Asc. Dr. Ilir Kajo, Gastro-Hepatolog, Endoskopist, Klinika Kajo