Përgatitja e pacientit/es për Kolonoskopi
me CitraFleet.


Pacienti/ja duhet të marrë në farmaci 4 paketa CitraFleet me 15gr pluhur secila. Paketat do të përdoren duke ndjekur hap pas hapi udhëzimet e mëposhtme:

2 (DY) DITË PARA EKZAMINIMIT:

  • Vakti i fundit i ushqimit të pacientit/es do të jetë në orën 17:00, 2 (dy) ditë përpara ekzaminimit. Nga ky moment pacienti do të konsumojë vetëm lëngje.

  • 1 (NJË) DITË PARA EKZAMINIMIT:

    • Në orën 12:00, një ditë para ekzaminimit, do të tresë 2 (dy) paketa CitraFleet në një gotë me 300 ml ujë të ftohtë. Për shkak të reaksionit kimik, lëngu mund të ngrohet pak, por ky fenomen është krejtësisht normal. Pacienti do të presë 5 minuta derisa të ftohet dhe do ta pijë.
    • 30 (tridhjetë) minuta pasi e ka pirë dozën do të pijë 1(një) gotë ujë natyral të ftohtë.
    • Në orën 17:00 do të tresë 2 (dy) paketa CitraFleet në një gotë me 300 ml ujë të ftohtë. Për shkak të reaksionit kimik, lëngu mund të ngrohet pak, por ky fenomen është krejtësisht normal. Pacienti do të presë 5 minuta derisa të ftohet dhe do ta pijë.
    • 30 (tridhjetë) minuta pasi e ka pirë dozën do të fillojë konsumin e të paktën 3 (tre) litra lëngjeve gjatë 5 (pesë) orëve të ardhshme.

    DITA E EKZAMINIMIT:

    • Ditën e ekzaminimit nuk duhet te konsumojë më asgjë dhe duhet të paraqitet në orarin e caktuar në klinikë.

    KUJDES!!!

  • Lëngjet duhet të jenë të pastra , të kulluara (bujon) dhe JO ME NGJYRË TË KUQE. Kryesisht lëng mishi i pastër (duhet të konsumohet patjetër) dhe lëngje të tjera ,me ngjyrë të çelët. Ujë natyral dhe/ose ujë natyral me sheqer.
  • Pas konsumit të CitraFleet dhe sasisë së lëngjeve të detajuara mësipër, pacienti do të defekoj në mënyrë të herëpashershme gjatë gjithë ditës derisa zorra të zbrazet plotësisht. Për këtë arsye, rekomandohet që dita përpara ekzaminimit të kalohet në shtëpi.
  • Pacientët që janë nën mjekim me hollues gjaku si Aspirina, Sintromi, Warfarina, Xarelto, etj. DUHET TI NDËRPRESIN ato 2 (dy) deri në 5 (pesë) ditë para ekzaminimit, në varësi të holluesit që marrin. KUJDES !!! Përpara se pacientët ta ndërpresin atë, duhet të konsultohen me mjekun që ka rekomanduar mjekimin me hollues. Në disa raste, mjeku përkatës mund të rekomandojë aplikimin e Clexan-it (Enoxaparinës) nën lëkurë, gjatë periudhës së ndërprerjes së holluesve. Pas kryerjes së Kolonoskopisë, holluesit do të fillohen përsëri.
  • Pacientët që vuajnë nga diabeti dhe marrin mjekime për të, DUHET TË PËRGJYSMOJNË DOZËN ditën e ekzaminimit.
  • Pacientët që vuajnë nga tensioni dhe marrin mjekime për të, NUK DUHET TI NDËRPRESIN.
  • Pacienti duhet të vijë i shoqëruar nga 1 (një) person tjetër (familjar ose i afërm) ditën e ekzaminimit.
  • Nëse nuk zbatohet proçedura përgatitore e mësipërme, në çdo pikë të saj, ekzaminimi nuk mund të kryhet.


  • Për të kryer këtë ekzaminim në klinikën tonë duhet të rezervoni paraprakisht orarin pranë recepsionit, nëpërmjet formularit të rezervimit ose nëpërmjet numrave të telefonit.




    Sharkojeni materialin në PDF:


    Blog