Kolonoskopia


Blog

Kolonoskopia është një ekzaminim i zakonshëm por shumë i rëndësishëm i Kolonit (Zorrës së Trashë). Ky ekzaminim kryhet me ndihmën e një endoskopi, i cili është një instrument fleksibel në formën e një tubi të hollë dhe i pajisur me një sistem video-optik. Endoskopi futet nga Mjeku Gastrolog nëpërmjet kanalit anal dhe kalon nëpër të gjithë gjatësinë e Zorrës së Trashë. Ai mundëson pamjen e saktë të mukozës (sipërfaqes së brëndshme) të Zorrës së Trashë. Endoskopi, i cili në këtë rast quhet Kolonoskop, ka në përbërjen e tij edhe dy kanale të cilët përcaktohen si:

  • Kanali i punës – nëpërmjet të cilit mund të futen dhe të shtyhen brënda instrumente të tjerë si pinca e hollë e biopsisë, e cila shërben për marrjen e materialeve indore.
  • Kanali i ajrit/ujit – i cili shërben për insuflimin e ajrit ose ujit. Këto funksione shërbejnë për të shpalosur sa më mirë mukozën e Zorrë së Trashë. Gjithashtu shërbejnë edhe për shplarjen e lentes në fund të Kolonoskopit.
  • Blog

    Gjatë Kolonoskopisë pacienti shtrihet në anën e majtë me këmbët lehtësisht të mbledhura. Mjeku fut Kolonoskopin, nëpërmjet Kanalit Anal, në Zorrën e Trashë. Kolonoskopi do të shtyhet ngadalë përgjatë gjithë gjatësisë së Zorrës së Trashë. Për të pasur pamje të plotë dhe sa më të qartë, mjeku insuflon ajër nëpërmjet aparatit.

    Mjeku, gjatë ekzaminimit, mund të kryejë manovra të tilla si ndryshimi i pozicionit të pacientit në mënyrë që Kolonoskopi të kalojë më lehtë kthesat e forta të Zorrës. Tërheqja e Kolonoskopit është me rendësi të veçantë dhe kryhet ngadalë për të vëzhguar çdo detaj të mundshëm. Nëpërmjet kanalit të punës së Kolonoskopit, mund të përdoren apo futen edhe instrumente të tjerë kirurgjikale si Pincat e Biopsisë apo Laqet Metalike. Ato shërbejnë për marrjen e materialit indor ose Biopsisë dhe heqjen e Polipeve të ndryshme.

    Kolonoskopia është një ekzaminim që mund të shkaktojë ndjenjë parehatie dhe/ose dhimbje të moderuar tek pacienti. Duhet theksuar se dhimbja vjen si pasojë e futjes së ajrit në Zorrë nëpërmjet Kolonoskopit dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Dhimbja apo gjëndja e parehatisë tolerohet në shkallë të ndryshme nga pacientë të ndryshëm dhe për këtë arsye ky ekzaminim në shumicën e rasteve kryhet nën efektin e Sedativëve. Gjatë proçedurës së Sedacionit pacienti bie në një gjëndje gjumi, relaksi dhe pandjeshmërie duke e bërë Kolonoskopinë një ekzaminim lehtësisht të përballueshëm.

    Kolonoskopia rekomandohet të kryhet për personat që kanë ankesat e mëposhtme:

  • Përmbajtje të gjakut në feçe.
  • Ndryshime të zakonit të jashtëqitjes (alternim i diarresë me konstipacionin).
  • Konstipacion apo Diarre kronike.
  • Dhimbje kronike barku.
  • Rënie e paqëllimshme në peshë.
  • Anemi e paqartë.

  • Kolonoskopia është gjithashtu një ekzaminim bazë për të parandaluar Kancerin e Zorrës së Trashë. Ky ekzaminim rekomandohet të kryhet edhe pa ankesa tek personat mbi 50 vjeç, apo ata që kanë histori familjare me këtë sëmundje. Për tu informuar mbi komplikacionet e mundshme lidhur me këtë ekzaminim ju lutem konsultohuni me Formularin e Konsensusit për Kolonoskopi.

    Për të kryer Kolonoskopinë është e nevojshme një parapërgatitje e Zorrës, e cila fillon një ditë përpara ditës së ekzaminimit. Për tu njohur me këtë proçedurë përgatitore ju lutem konsultohuni me formularin e Përgatitjes për Kolonoskopi. Nëse nuk ndiqni në mënyrë rigoroze të gjitha pikat në këtë formular, Kolonoskopia nuk mund të kryhet.