Pankreatitet kronike


Pankreasi është një organ gjëndor i tubit tretës që prodhon:

  • Enzima të cilat derdhen në zorrë dhe në duoden.
  • Hormone të cilat derdhen në gjak.

Pankreasi mund të sëmuret:

  • Në mënyrë të menjëhershëm, duke shkaktuar pankreatitin akut. Sëmundje që mbart rreziqe të mëdha për jetën.
  • Në mënyrë graduale, duke shkaktuar pankreatit kronik, sëmundje që jep ndryshime të vazhdueshme dhe të parikthyeshme të indit të pankreasit. Këto ndryshime çojnë në një dëmtim të funksionit bazë të pankreasit që është prodhimi i enzimave dhe i hormoneve.

Disa nga shkaqet kryesore të pankreatiteve kronike janë:

  • Abuzimi me alkoolin.
  • Konsumi i duhanit.
  • Sasitë e shtuara të kalciumit.
  • Sasitë e shtuara të yndyrave në gjak.
  • Sëmundjet kronike të veshkave.
  • Sëmundjet që bllokojnë kanalet e pankreasit.
  • Kequshqyerja dhe/ose nënushqyerja.
  • Sëmundjet autoimune, ato gjenetike dhe vaskulare.
  • Ndonjëherë shkaqet e pankreatit kronik mbeten të panjohura.

Disa komplikacione të zakonshme të pankratitit kronik mund të jenë:

  • Pseudokistet – qese ose depozita me inde të dekompozuara, të cilat mund të zhduken vetë brenda 6 javësh ose mund të mbeten të tilla duke dhënë shtypje të strukturave indore përreth.
  • Diabeti i sheqerit.
  • Ngushtimi i Duodenit.
  • Fistulat (kanale ose tunele) ndërmjet pankreasit dhe lëkurës, ose me organet e tjera të barkut.
  • Pseudoaneurizmat (zgjerime anësore në formë xhepi të enëve të gjakut).
  • Trombozë (mpiksje gjaku) e venës së shpretkës.
  • Shfaqje e kancerit të pankreasit tek ata persona që vuajnë për një kohë të gjatë nga pankreatiti kronik.

Ankesat:

  • Dhimbja e barkut është shenja kryesore e pankreatitit kronik. Atë e kanë mbi 80% e pacientëve. Dhimbja fillon në stomak, lukth dhe përhapet mbrapa në shpinë.
    • Kjo dhimbje është e bezdisshme, e lodhshme dhe konstante.
    • Kjo dhimbje rëndohet 15 deri në 30 min pas buke dhe mund të qetësohet kur i sëmuri përkul trupin përpara.
  • Të përziera dhe të vjella të cilat mund të shoqërojnë dhimbjen.
  • Rënie në peshë e cila mund të vijë si pasojë e:
    • Mosderdhjes në duoden të enzimave të pankreasit:
  • Kjo shkakton diarre.
  • Shkakton mosthithjen e produkteve ushqimore.
    • Shfaqjes së diabetit.
    • Mosushqyerjes për të shmangur dhimbjen.
    • Ndjenjës së ngopjes e cila shfaqet për shkak të vonesës së zbrazjes së stomakut.

Diagnoza:

  • Vizitë gastro-hepatologjike.
  • Funksioni hepatik (i mëlçisë): bilirubinë direkte, bilirubinë totale, SGOT, SGPT, ALP, PCR, LDH, GGT, fibrinogjen, albuminemi.
  • Funksioni i pankreasit: amilazemi, amilazuri.
  • Funksioni renal (i veshkës): azotemi, kreatinemi.
  • Sheqeri në gjak: glicemi, HbA1c.
  • INR.
  • Gjak Komplet.
  • Lipazemia.
  • Elektroforeza e proteinave.
  • Uricemia.
  • Lipidograma: HDL, LDL, triglicerid, kolesterol total.
  • Hekuri në gjak: sideremi, ferritinemi.
  • Markerat viralë: AgHbs, AntiHCV.
  • Analiza laboratorike në Feçe:
    • Feçe kandida.
    • Koprokulturë.
    • Feçe parazit.
    • Antigen fekal për helikobakter pilori.
    • Feçe gjak okult.
  • Ekografi abdominale.
  • Skaneri CT.
  • Rezonanca magnetike (RMI) e barkut me kontrast venoz.
  • ERCP – radiografia e rrugëve të pankreasit dhe të tëmthit nëpërmjet futjes së kontrastit nga grykëderdhja e tyre me rrugë endoskopike.
  • EUS – ekoendoskopi (eko e pankreasit, e cila realizohet duke futur në stomak një sondë në majën e të cilit është instaluar eko).

Trajtimi:

Trajtimi mund të jetë simptomatik dhe i komplikacioneve.

Trajtimi simptomatik përfshin:

  • Marrjen e medikamenteve qetësuese të dhimbjes.
  • Marrjen e enzimave të Pankreasit. Enzima të cilat janë të nevojshme për të kryer tretjen e ushqimeve.
  • Marrjen e frenuesve të sekrecionit acid.
  • • Marrjen e vitaminave dhe antibiotikëve në varësi të përfshirjes së infeksionit ose jo.
  • Trajtimi i komplikacioneve është kompleks. Ai mund të jetë një kombinim i trajtimit me medikamentet e mësipërme dhe rrugës kirurgjikale. Format e ndërhyrjes kirurgjikale mund të jenë:

  • Mini invasive, me rrugë endoskopike (pa hapur barkun), kryesisht për të drenuar cistet.
  • Me kirurgji konvencionale duke hapur barkun dhe trajtuar komplikacionin.

Parandalimi:

Masat parandaluese kanë të bëjnë me:

  • Shmangien e konsumit sistematik të alkoolit dhe të duhanit.
  • Konsumin e një diete ushqimore të shëndetshme, që shmang yndyrat shtazore, karbohidratet e rafinuara, brumërat, mishin e kuq, ushqimet e konservuara dhe me përmbajte të shtuara të kripës.
  • Jetën aktive me aktivitet të rregullt fizik.
  • Shmangien e stresit.
  • Me shfaqjen e ankesave në zonën e barkut, sado të lehta të jenë ato dhe në mënyrë të veçantë te konsumuesit e alkoolit dhe të duhanit, vizita me mjekun gastro-hepatolog është shumë e rëndësishme.


KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.