Çrregullimet e ritmit te zemrës ose aritmitë


Sëmundjet që kanë të bëjnë me Çrregullimet e Ritmit të Zemrës janë disa nga sëmundjet më të vështira për t’u diagnostikuar dhe trajtuar.

Çrregullimet e Ritmit kanë të bëjnë me dëmtimet apo sëmundjet e vetë zemrës, por mund të jenë edhe pasojë e sëmundjeve apo shkaqeve të tjera, të cilat nuk lidhen direkt me zemrën. Për këtë arsye është e rëndësishme të përjashtohen të gjitha ato sëmundje, përtej atyre të zemrës, të cilat japin aritmi.


Blog

    Shkak i çrregullimeve të ritmit mund të jenë:

  • Abuzimi me pijet alkoolike, në mënyrë sistematike dhe të tepruar.
  • Konsumi i duhanit.
  • Përdorimi i substancave narkotike.
  • Çrregullimet e funksionit të Gjëndrës Tiroide.
  • Çrregullimet e funksionit të Gjëndrës Mbiveshkore.

Mosha e tretë është gjithashtu e favorshme për aritmitë, sidomos nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet me hollues gjaku, mund të bëhet shkak për tromboza në tru, paraliza dhe/ose tromboza të ekstremiteteve. Këto lloj çrregullimesh janë pasojë e ndryshimeve fiziologjike që ndodhin në zemër me avancimin e moshës.

Ankesat:

  • Ndjenja e lodhjes.
  • Në disa raste mungesa e frymës.
  • Ndjenja e mbytjes dhe e ndalimit të Zemrës.
  • Marrje mëndsh.
  • Në disa raste rrahjet janë shumë të shpejta.
  • Në disa raste rrahjet mund të shoqërohen me palpitacione në kraharor.
  • Mund të regjistrohen rrahje deri në 250/min.

Diagnoza:

    EKG

    Elektrokardiograma ose regjistruesi i ritmit të zemrës, i cili bën të mundur regjistrimin e një çrregullimi të momentit. Në këtë mënyrë mund të vendoset një diagnozë paraprake për çrregullimin.

    TTE

    Ekokardiografi Trans-Torakale Triplex (2D, Color, Doppler) ose e njohur ndryshe si Eko e Zemrës. Ky ekzaminim kryhet për të parë nëse ka sëmundje të valvulave të zemrës, vrima në zemër, ngushtim të enëve të mëdha të gjakut, etj. Të gjitha këto sëmundje janë faktorë të mundshëm për aritminë.

    Ekografi e Tiroides

    Ky ekzaminim kryhet për të kontrolluar gjëndrën e tiroides, si shkaktare të mundshme të aritmisë.

    TSH, Ft3, Ft4

    Analizat laboratorike të hormoneve të tiroides. Analiza gjaku të cilat kontrollojnë parametrat e gjëndrës së tiroides.

    EKG Holter

    I njohur ndryshe si holter ritmi 24/h ose 48/h. Ky ekzaminim bën regjistrim elektrokardiografik të vazhdueshëm duke ndihmuar në përcaktimin e llojit të aritmisë. Është një ekzaminim i vlefshëm edhe për trajtimin me medikamente.

Prova Ushtrimore

Ekzaminim i Zemrës gjatë efortit duke përdorur tapet lëvizës ose biçikletë. Ky ekzaminim kryhet për të konstatuar:

  • Nëse aritmia shpërthen nga sforcimi.
  • Nëse ekstrasistolat (rrahjet jashtë rradhe të zemrës) shtohen/pakësohen nën sforcim.

Trajtimi:

  • Me medikamente, specifike kundër Aritmisë.
  • Me ndërhyrje kirurgjikale direkte në zemër, nëpërmjet djegies me elektroda të posaçme, të rrugëve jonormale të përcjelljes së impulsit. Kjo ndërhyrje varet nga diagnostikimi i saktë i aritmisë.

    • Parandalimi:

      Çrregullimet e Ritmit të Zemrës nuk mund të parandalohen. Gjithsesi, me anë të ekzaminimeve instrumentale, të kryera që në moshë të hershme mund të përjashtohen Sëmundje të Lindura të Zemrës, të Gjëndrës së Tiroides, të Gjëndrës Mbiveshkore. Sëmundje të cilat nëse mjekohen dhe/ose trajtohen herët pakësojnë mundësinë për të vuajtur nga aritmia.

      Shmangia e faktorëve të tjerë të rrezikut si duhani, alkooli, substancat e ndryshme narkotike, mbipesha dhe jeta sedentare bëjnë të mundur gjithashtu uljen e mundësisë për të vuajtur nga aritmia.


      KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.