Vizita Gastro-Hepatologjike

Vizita Gastro Hepatologjike Klinika Kajo

Vizita Mjeksore Gastro-Hepatologjike është shumë e rëndësishme dhe vendimtare për çdo individ, i cili ka apo mund të ketë probleme Gastro-Hepatologjike ose të Tubit Tretës. Vizita ose konsulta është kontakti i parë i pacientit me Mjekun, dhe për këtë arsye ka rëndësi të veçantë shprehja dhe formulimi i ankesave nga ana e pacientit dhe kuptimi apo interpretimi i duhur nga ana e mjekut.

Pacientët mund të jenë të ndryshëm në karakter, në nivelin e intelektit, në shkallën e arsimimit. Shpesh herë ata mund të jenë të ndrojtur ose mund ta kenë të vështirë për të shprehur atë që ndjejnë. Për këto arsye Mjekut i duhet kohë, përqëndrim, intuitë dhe shumë durim për të marrë informacionin e duhur.

Vizita Gastro-Hepatologjike kryhet gjithmonë nga Mjeku Gastro-Hepatolog, specialist dhe me eksperiencë. Gjatë Vizitës kristalizohen të gjitha dijet dhe eksperienca klinike dhe instrumentale e Mjekut për të drejtuar pacientin në hapat e tjerë, të cilët janë:

    • Plani i ekzaminimeve instrumentale dhe laboratorike.
    • Kryerja e të gjitha ekzaminimeve instrumentale dhe laboratorike të nevojshme.
    • Vizita me Mjekë të specialiteteve të tjera, nëse dyshohet për sëmundje jashtë Zemrës.
    • Diagnostikimi përfundimtar.
    • Plani i trajtimit.
    • Ekzekutimi i planit të trajtimit në mënyrë rigoroze.
    • Rikontrolli klinik, instrumental, laboratorik.

 

Disa nga pyetjet që Mjeku Gastro-Hepatolog mund të bëjë gjatë Vizitës Gastro-Hepatologjike janë të lidhura ngushtë me ankesat aktuale të pacientit. Disa nga këto pyetje mund të jenë:

    • A ka dhimbje barku? Nëse po:
        • Në çfarë pjese të barkut lokalizohet ajo?

       

        • Është e lehtë, e fortë apo shumë e fortë?

       

        • Është dhimbje fillimisht e lehtë, që vjen duke u forcuar, e cila pushon për disa minuta dhe fillon përsëri?

       

        • Është djegëse, shpuese, rënduese apo therëse?

       

        • A përhapet në gjoks, shpinë apo në bel?

       

        • Qetësohet vetë apo qetësohet nga ushqimet, përdorimi i sodës së bukës, të ngrohtit, të vjellat, apo një pozicion i caktuar i trupit?

       

        • A lehtësohet nga jashtëqitja?

       

        • A rëndohet nga qëndrimet në ambiente të lagështa dhe të ftohta.

       

        • A rëndohet nga stresi apo gjendjet emotive?

       

        • A rëndohet nga përdorimi i medikamenteve që përdoren për hollimin e gjakut apo nga ato kundra dhimbjes?

       

        • A shoqërohet me temperaturë?

 

    • A ka të vjella? Nëse po:
        • Janë menjëherë pas apo në distancë kohë nga ushqimi?

       

        • Paraprihen nga të përziera?

       

        • Shoqërohen me dhimbje koke?
            • Nëse po, a lehtësohet kjo dhimbje pas të vjellës?

       

        • Janë të vjella lëngjesh apo me mbeturina ushqimore?
            • Nëse po janë të atyre ushqimeve të sapo ngrëna apo të disa vakteve të mëparshme?

       

        • Janë me aromë të keqe, në disa raste si vezë e prishur apo si thartira?

       

        • Janë si llum kafeje apo me prezencë gjaku?

       

        • Janë si lëngje të verdha dhe të ithta?

       

        • E lehtëson e vjella dhimbjen e barkut?

 

    • A ka diarre? Nëse po:
        • Sa herë në 24 orë?

       

        • Sa herë natën?

       

        • Jashtëqitja është si:
            • Ujë?

           

            • Baltë?

           

            • Me ushqime të patretura?

       

        • Ka ngjyrë:
            • Si të florinjtë?

           

            • Si katran ose si blozë?

           

            • Si të zbardhur?

       

        • Është e shoqëruar me gjak të pastër e të freskët?

       

        • Është e shoqëruar me temperaturë?

       

        • Paraprihet nga dhimbja e barkut?

       

        • Është e shoqëruar me dhimbje të kanalit të jashtëqitjes?

 

    • A ka Konstipacion (kapsllëk)? Nëse po:
        • Defekon një herë në 24 me vështirësi apo një herë në disa ditë?

       

        • Ka gjak në jashtëqitje?

       

        • Feçet janë si kokrra-kokrra apo me trashësinë e një lapsi?

       

        • Ka ndjesinë e moszbrasjes së plotë të Zorrës dhe të shkuarit përsëri në tualet?

       

        • Shoqërohet me dhimbje apo fryrje barku?
            • Nëse po, lehtësohet pas defekimit?

       

        • Ka dhimbje të kanalit anal gjatë dhe pas jashtëqitjes?

       

        • Merr medikamente për sëmundje të tjera?

 

    • A ka zverdhje të syve dhe të lëkurës? Nëse po:
        • Prej sa kohësh?

       

        • Jashtëqitja është me ngjyrë të zbardhur?

       

        • Urina është me ngjyrë të errët?

       

        • Ka ndjesinë e të kruarit në trup?

       

        • Merr medikamente për sëmundje të tjera?

 

    • A ka gjak në feçe? Nëse po:
        • Në çfarë sasie?

       

        • Është i pastër apo si salcë?

       

        • Shoqërohet me dhimbje të Kanalit Anal gjatë ose pas defekimit?

       

        • Sa herë defekon në 24 orë dhe sa herë nga këto defekon me gjak?

       

        • Ka temperaturë mbi normalen?

       

        • Ka rënie në peshë?

       

 

    • A ka Urth? Nëse po:
        • Është e lidhur me volumet e ushqimit?

       

        • Lehtësohet nga pirja e ujit, e qumështit apo nga ngrënia e diçkaje sado të vogël?

       

        • Rëndohet nga përkulja e trupit përpara ose nga pozicioni shtrirë?

       

        • Rëndohet nga disa ushqime si:
            • Agrumet?

           

            • Pikantet?

           

            • Pijet alkoolike?

           

            • Ushqimet e ftohta?

       

        • Rëndohet nga stresi?

       

        • Rëndohet nga përdorimi i medikamenteve si:
            • Aspirina?

           

            • Sintromi?

           

            • Ibubrofeni?

       

        • Shoqërohet me:
            • Kollë?

           

            • Ngjirje zëri?

           

            • Ndjesinë e pastrimit të fytit?

 

    • A ka Disfagi? Nëse po:
        • Prej sa kohësh?

       

        • Ndodh vetëm me ushqimet solide dhe të forta apo edhe me ato të lëngëta?

       

        • Vjen duke u shtuar?

       

        • Ushqimi shoqërohet gjithmonë me ujë për tu kapërdirë?

       

        • Ka pasur ndonjë sëmundje me temperaturë?

       

        • Ka rënie në peshë apo luhatje të oreksit?

       

        • Vuan nga sëmundjet e Mushkërive apo të Zemrës?

 

 

Pyetjet e mësipërme i shërbejnë Mjekut për të kuptuar simptomat e pacientit dhe për t’i lidhur ato me sëmundje të mundshme që shfaqin këto simptoma.

Disa shembuj mund të jenë:

 

    • Të vjellat mund të lidhen me:
        • Ngushticat që vijnë si pasojë e Ulçerave Duodenale dhe Gastrike.

       

        • Gastritet.

       

        • Ngushtimet e Ezofagut.

       

        • Sëmundjet nervore ose nga stresi.

       

        • Helmimet ushqimore ose nga lëndë të ndryshme.

 

 

 

    • Konstipacioni mund të lidhet me:

       

        • Kancerin e Zorrës së Trashë.

       

        • Çrregullimet e funksionit të Gjendrës Tiroide.

       

        • Përdorimin pa kriter të medikamenteve kundër Diarresë.

 

    • Era e Keqe e Gojës (Foetor ex Oris) mund të lidhet kryesisht me:
        • Sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.

       

        • Dhëmbët e prishur.

       

        • Sinuzitin.

       

        • Sëmundjet e Bronkeve dhe Mushkërive.

       

       

        • Ngushtimet nga Ulçerat ose Tumoret e Stomakut.

 

 

Hapi tjetër i Vizitës Gastro-Hepatologjike ka të bëjë me historinë e sëmundjes, e cila është pjesë e pandarë nga ankesat aktuale të pacientit. Disa pyetje që Mjeku bën në këtë fazë mund të lidhen me:

    • Kohën e fillimit të ankesave.
    • Kushtet në të cilat janë shfaqur për herë të parë.
    • Ecurinë e ankesave.
    • Kohëzgjatjen e ankesave.

 

Historia e jetës është hapi i rradhës dhe ka të bëjë me sëmundjet e tjera që ka kaluar apo vuan aktualisht pacienti. Mjeku interesohet për të kuptuar nëse këto sëmundje mund të kenë lidhje me ankesat aktuale të pacientit. Disa sëmundje si Diabeti, Obeziteti, Çrregullimet e Funksionit të Gjëndrës Tiroide, dhe Sëmundjet Kardiake, mund të ndikojnë në përkeqësimin ose shtimin e ankesave tek pacienti.

 

Gjithashtu marrja e medikamenteve për këto sëmundje mund të çojë në çrregullime të funksionit të Mëlçisë dhe të lëvizshmërisë së Traktit Tretës. Në historinë e jetës së pacientit bëjnë pjesë edhe faktorët e mëposhtëm, të cilëve Mjeku Gastro-Hepatolog i kushton rëndësi të veçantë:

    • Mënyra e të ushqyerit dhe të jetuarit.
    • Përdorimi i duhanit, alkoolit dhe substancave të tjera.
    • Aktiviteti fizik.
    • Profesioni.

 

Vizita Gastro-Hepatologjike vazhdon me historinë familjare të pacientit. Pyetjet e rradhës lidhen me predispozitën Gjenetike – Trashëguese të pacientit. Disa prej tyre mund të jenë:

    • A keni njeri në familje që vuan ose ka vuajtur nga Ulçera e Stomakut ose Duodenit?
    • A keni njeri në familje që kanë kaluar Hepatitet Virale B dhe C, ose janë mbartës të tyre?

 

Pas marrjes së informacionit të mësipërm hapi i rradhës është Ekzaminimi Objektiv i pacientit. Ky është një ekzaminim fizik të cilin Mjeku e kryen duke ndjekur pikat e mëposhtme:

 

1. Inspeksioni ose shikimi me sy të lirë. Gjatë kësaj faze Mjeku kërkon me sy për shenja të ndryshme trupore të cilat mund të lidhen me sëmundje të caktuara. Shembull: Tek pacientët që vuajnë nga Cirroza e Mëlçisë ka shenja si:

    • Fryrje e dukshme e barkut.
    • Vena të dukshme në sipërfaqen e barkut.
    • Zverdhje e syve dhe e lëkurës.

 

2. Perkusioni ose vendosja e njërës dorë, të hapur, mbi trupin e pacientit dhe goditja e saj lehtë me gishtin e mesit të dorës tjetër. Ky veprim kryhet për të dëgjuar tingullin e pazakontë që mund të shkaktojë një sëmundje e caktuar. Tek pacientët që vuajnë nga Cirroza e Melçisë tingulli që përftohet nëpërmjet perkusionit është i ngjashëm me tingullin që dëgjohet kur goditet një enë e mbushur me ujë.

 

3. Palpacioni ose prekja e barkut me dorë. Tek pacientët që vuajnë nga Kanceri i Zorrës së Trashë ose ai i Mëlçisë, Mjeku mund të dallojë me anë të prekjes masën Tumorale në zonën e barkut. Një bark normal është i butë dhe i palpueshëm, në kontrast, masat Tumorale mund të jenë të forta dhe me forma të çrregullta.

 

4. Auskultacioni ose dëgjimi me stetoskop i pacientit. Për shkak të lëvizshmërisë së saj, një Zorrë e Trashë normale lëshon tinguj tipikë të cilat Mjeku Gastro-Hepatolog i dëgjon me lehtësi. Një Zorrë e Trashë e prekur nga një masë Tumorale, e cila mund të bllokojë lëvizshmërinë e saj, nuk lëshon pothuajse asnjë zhurmë.

 

Me anë të gjithë informacionit të mbledhur më sipër Mjeku Gastro-Hepatolog vendos planin e ekzaminimeve instrumentale dhe laboratorike si dhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen nga pacienti për të vendosur diagnozën përfundimtare.

 

Për gjithë arsyet e përmendura më sipër Vizita me Mjekun Specialist është absolutisht, ekzaminimi më i rëndësishëm, dhe gjithmonë hapi i parë, që individi duhet të kryejë kur ka shqetësime shëndetësore. Ekzaminimet instrumentale dhe laboratorike janë më të frytshme kur rekomandohen nga Mjeku.

error: Content is protected !!