Sëmundjet inflamatore të zorrës (Koliti Ulçeroz dhe Morbus Crohn)

09/08/2017

Sëmundjet Inflamatore të Zorrës në shumicën e rasteve nënkuptojnë Kolitin Ulçeroz ose Morbus Crohn. Të dyja kanë të bëjnë me inflamacionin kronik të shtresave të mukozës së zorrës së hollë dhe/ose zorrës së trashë. Secila nga këto dy sëmundje ka karakteristika specifike.

Koliti Ulçeroz:

  • Është një inflamacion që prek vetëm zorrën e trashë dhe shoqërohet me formim të Ulçeracioneve (plagëve) në sipërfaqen e brendshme të saj. Në disa raste mund të preket vetëm pjesa fundore e zorrës (rektumi) dhe në këtë rast quhet Proctiti Ulçerativ.
  • Koliti Ulçeroz, prek vetëm zorrën e trashë, dhe shenjën kryesore ka diarrenë me mukus (si qurre) dhe/ose gjak. Ashpërsia e sëmundjes varet nga gjatësia e segmentit të zorrës që preket. Sa më tepër të jetë e shtrirë sëmundja aq më të shprehura janë dhe simptomat, dhe ankesat.

Morbus Crohn:

  • Mban emrin e Gastrologut Amerikan (Burrill Bernard Crohn) i cili zbuloi këtë sëmundje. Sëmundje e cila prek çdo pjesë të tubit tretës, nga goja deri në kanalin anal. Në varësi të segmentit që prek ajo mund të quhet Crohn Ileitis, Ilieocolitis, Colitis ose Enteritis.
  • Mund të prekë, si zorrën e trashë ashtu dhe atë të hollë.
    • Në fazën e saj fillestare mund të mos ketë asnjë ankesë. Mund të ketë ankesa të pakta kur sëmundja prek pjesërisht ose totalisht zorrën e trashë, komplikim që mund të shkaktojë diarre.
    • Në disa raste dhimbja e barkut mund të ngatërrohet me dhimbjet nga apendisiti.
    • Kjo sëmundje mund të çojë dhe në çrregullime të ushqimit duke shkaktuar dhe rënie në peshë.

Të dyja sëmundjet kanë të përbashkët inflamimin e shtresës mukozale të zorrës. Për këtë arsye disa simptoma janë të përbashkëta tek të dyja sëmundjet. Por ka edhe diferenca të cilat kanë të bëjnë me shtrirjen dhe lokalizimin e segmentit të inflamuar.

Ankesa të përbashkëta:

  • Lodhje, këputmëri.
  • Humbje e oreksit.
  • Temperaturë.

Ankesa të veçanta që lidhen direkt me zorrën e sëmurë si:

  • Diarrea me gjak dhe/ose me mukus.
  • Dhimbje të barkut në disa raste në një pjesë të tij, por më shpesh në të gjithë barkun.
  • Dhimbje të cilat mund të jenë të vazhdueshme ose të shkëputura, të herëpasherëshme.
  • Të përzjera dhe në disa raste të vjella.
  • Anemi – me humbjen e gjakut humbet edhe hekuri. Për pasojë shfaqet anemia nga mungesa e hekurit.

Ankesa jashtë tubit tretës:

  • Dhimbje të kyçeve.
  • Zona eritematoze (të skuqura) në lëkurën e krahëve dhe te këmbëve.
  • Këto sëmundje nuk lënë pa prekur, edhe pse rrallë, sytë, rrugët e tëmthit, perikardin (cipën e zemrës), pankreasin dhe vazat e gjakut duke formuar edhe trombe tek këto të fundit.

Komplikacione:

  • Çregullime të rritjes kur shfaqen në fëmijëri.
  • Fistula – komunikime ose “tunele” bashkuese të zorrës së prekur me pjesët fqinje të saj. Këto mund të jenë pjesë të tjera të zorrës, organe të barkut ose vetë lëkura.
  • Abcese – qelbëzime, kryesisht, të kanalit të jashtëqitjes.

Kujdes!!! Sëmundjet Inflamatore të Zorrës mbartin rrezikun e shfaqjes së Kancerit të Zorrës. Rrezik i cili është në përqindje të vogël dhe që varet nga gjatësia e zorrës së prekur dhe kohëzgjatja e sëmundjes. Për këtë arsye të sëmurët e diagnostikuar me Sëmundje Inflamatore të Zorrës duhet të ndërgjegjësohen për karakterin kronik të sëmundjes. Ata duhet të kryejnë kontrolle periodike jo vetëm kur kanë shqetësime por edhe kur janë të qetë, pa ankesa.

Diagnoza:

Për të vendosur diagnozën ka një sërë proçedurash të cilat përfshijnë:

  • Vizitë Gastro-Hepatologjike
  • Analiza Laboratorike:
    • Gjak komplet
    • Bilirubinë Direkte dhe Totale, SGOT, SGPT, ALP
    • Elektrolitet në gjak
    • Sideremi, Ferritinemi
    • TSH
    • PCR
    • AgHBs dhe Anti HCV.
    • Anti transglutaminaza indore IgA (për të diferencuar këto sëmundje nga malabsorbimi primar)
    • Feçe Kandida
    • Koprokulture
    • Antigeni Fekal për Helicobacter Pilori
    • Feçe gjak okult
    • Feçe parazit
    • Feçe për yndyrna
    • Feçe për fibra elastike dhe muskulare
    • Kalprotectina ne feçe.
    • Lactoferrin ne feçe.
    • BSG.
  • Ekografi e Abdominale.
  • Tushe rektale.
  • Skaner Abdominal CT me kontrast.
  • Gastroskopi me biopsi (marrje materiali indor) të Zorrës së Hollë.
  • Kolonoskopi me biopsi të shumta në nivele të ndryshme të Zorrës.
  • Pasazh i zorrës së hollë dhe asaj të trashë.
  • Rezonancë Magnetike
  • Kapsul Endoskopi
  • Endoskopi me balonë të dyfishtë (Double Balloon Endoscopy).

Trajtimi:

  • Dieta dhe terapi shtesë me vitamina.
  • Terapia mbrojtëse dhe parandaluese ndaj Osteoporozes me vitamin D dhe Calcium.
  • Mjekimi i sëmundjeve inflamatore me medikamente kryhet nga mjeku Gastrolog duke u bazuar në:
    • Stadin e sëmundjes.
    • Komplikacionet e sëmundjes, nëse janë shfaqur.
  • Në raste të rralla është e nevojshme ndërhyrja Endoskopike ose Kirurgjikale.

Parandalimi:

Masat parandaluese të qarta nuk ka, por një vizitë me mjekun Gastro-Hepatolog këshillohet për individet të cilët kanë shqetësime të tubit tretës si:

  • Diarre mbi tre javë.
  • Anemi të pa shpjegueshme.
  • Rënie nga pesha.

Parandalimi i komplikacioneve, sado të rralla që të jenë ato, kërkon një ndjekje rigoroze të këshillave të mjekut dhe një kontroll periodik edhe gjatë periudhës së shërimit.