Kanceri i stomakut

09/08/2017

Kanceri i stomakut lind nga rritja e pakontrolluar e qelizave të stomakut, degjenerimi dhe transformimi i tyre nga qeliza normale në qeliza tumorale.

Nga ana statistikore:

  • Kanceri i stomakut është kanceri malinj më i shpeshtë në botë (duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë), dhe vdekshmëria nga ky lloj kanceri është shumë e lartë.
  • Për shkak se të prekurit nga ky lloj kanceri nuk paraqesin menjëherë simptoma specifike diagnostikimi ndodh me vonesë.
  • Mosha më e prekur nga kanceri i stomakut është mosha e tretë (mbi 50 vjeç), më rrallë preken njerëzit në moshën e mesme dhe një përqindje fare të vogël tek rinjtë dhe fëmijët.

Shkaqet specifike të kancerit të stomakut nuk janë plotësisht të qarta. Gjithsesi njihen disa faktorë që rrisin rrezikun për të zhvilluar këtë lloj sëmundje. Ato mund të jenë:

  • Gastriti kronik nga Helikobakter Pilori.
  • Polipet e stomakut.
  • Sëmundje të tjera të stomakut.
  • Gastriti kronik atrofik.
  • Metaplazia intenstinale dhe displazia.
  • Anemia pernicioze.
  • Gastriti kronik hipertrofik.
  • Gjëndjet pas rezekimit ose heqjes së plotë/të pjesshme të stomakut.
  • Historia familjare.
  • Përdorimi në sasi të pakët i ushqimeve me prejardhje bimore dhe në sasi të shtuar i ushqimeve me prejardhje shtazore.
  • Konsumi i tepërt i Nitrozaminat, të cilat janë përbërje kimike që gjënden në ushqimet e kripura e të konservuara.
  • Duhani.
  • Alkooli.
  • Obeziteti.

Ankesat:

Ankesat mund të jenë diskrete, atipike, të shpërndara, jo-specifike. I sëmuri mund të ketë dhimbje në pjesën e sipërme të barkut dhe/ose rënie nga pesha në mënyrë të menjëhershme. Ekziston edhe mundësia që i sëmuri të mos ketë asnjë lloj ankese. Gjithsesi, ka një sërë ankesash që janë më të zakonshme, dhe që mjeku mund t’i lidhë me këtë sëmundje. Ato janë:

  • Shqetësime, ndjenjë parehatie në zonën e barkut.
  • Ngopje e shpejtë.
  • Vështirësi në gëlltitje.
  • Neveri ndaj mishit.
  • Të vjella.
  • Urth.
  • Humbje e oreksit.
  • Rënie nga pesha.
  • Lodhje e shpejtë kur kryen aktivitet të zakonshëm fizik.
  • Fryrje barku.

Diagnoza:

  • Vizitë Gastro-Hepatologjike.
  • Gastroskopia me Biopsi – ekzaminim përcaktues për diagnozën e kancerit të stomakut.
  • Ekografi Abdominale.
  • Analiza laboratorike:
    • Gjak komplet.
    • Ferritinemi.
    • Feçe Gjak Okult.
    • CEA.
    • AFP.
    • CA19-9.
  • CT e kraharorit dhe barkut.
  • Rezonanca Magnetike.
  • Kur të gjitha ekzaminimet e mësipërme nuk mjaftojnë për të vendosur diagnozën atëherë kryhet Laparotomia ose hapja kirurgjikale e barkut.
  • Jetik është diagnostikimi herët i kësaj sëmundje.

Kujdes!!! Një nga shkaqet e anemisë është dhe kanceri i stomakut.

Trajtimi:

Në varësi të stadit të sëmundjes:

  • Trajtimin endoskopik.
  • Ndërhyrje kirurgjikale.
  • Kimioterapi dhe/ose Radioterapi.
  • Qetësuesit e dhimbjes luajnë rol të madh në përmirësimin e cilësisë së jetës, në rastet kur sëmundja është tepër e avancuar dhe ndërhyrja kirurgjikale bëhet e pa realizueshme.

Kujdes!!! Pacientët që i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale duhet të ndjekin me seriozitet këshillat e mjekut për mënyrën e ushqimit dhe duhet t’i nënshtrohen të kontrolleve rutinë laboratorike dhe instrumentale.

Parandalimi:

Si çdo lloj tjetër i kancerit edhe kanceri i stomakut është e vështirë të parandalohet. Por, diagnostikimi i tij në fazat fillestare mund të rezultojë thelbësor për të shpëtuar jetën. Gjithashtu, rregullimi i dietës ushqimore dhe mënyrës së jetesës ul rrezikun për t’u prekur nga kjo sëmundje.

Rekomandohet Vizitë Gastro-Hepatologjike dhe Feçe Gjak Okult për ata persona të cilët:

  • Rezultojnë me anemi.
  • Kanë të dhëna familjare për kancer të stomakut.
  • Janë mbi 40 vjeç.

Të evitohet:

  • Konsumi i tepërt i ushqimeve të konservuara.
  • Konsumi i tepërt i ushqimeve më shumë kripë.
  • Konsumi i tepërt i alkoolit.
  • Jeta sedentare ose joaktive.

Këshillohet:

  • Konsumi i përditshëm i zarzavateve.
  • Konsumi i përditshëm i frutave.