Kanceri i pankreasit

09/08/2017

Kanceri i pankreasit renditet i treti për nga shpeshtësia e tumoreve malinje të tubit tretës, pas kancerit te zorrës së trashë dhe atij të stomakut. Faktorë rreziku që mund të rrisin probabilitetin për t’u prekur nga kjo lloj sëmundje janë:

  • Historia familjare ose predispozita gjenetike.
  • Konsumi i rregullt i alkoolit.
  • Konsumimi i rregullt i duhanit.
  • Adipoziteti (Dhjamosja) BMI (Body Mass Index) >= 30 kg/m2.
  • Pankreatiti kronik dhe tumoret cistike të pankreasit.
  • Kemi 2 (dy) lloje të kancerit të pankreasit. Ata janë:
  • Adenokarcinoma – tumori malinj më i shpeshtë i pankreasit i cili takohet në shumicën e rasteve (në rreth 70% të tyre) në kokën e pankreasit.
    • Ky lloj tumori jep shumë shpejt metastaza (përhapje të tumorit në organe të tjera). Ato mund të formohen me:
      • Rrugë limfogjene (të limfës).
      • Rrugë hematogjene (të gjakut).
  • Karcinoma Papilare (Kanceri i grykëderdhjes së Pankreasit) njihet si grupi i tumoreve me prognozën më të mirë.

Kanceri i pankreasit karakterizohet nga:

  • Diagnozë e vështirë.
  • Mjekimi i vështirë.
  • Prognozë (ecuri) e lehtë apo e shpejtë.

Ankesat:

Problemi më i madh i diagnostikimit është mungesa e simptomave në stadet e hershme të sëmundjes. Disa nga ankesat më të zakonshme janë:

  • Humbja e oreksit.
  • Rënia në peshë.
  • Dhimbja në pjesën e sipërme të barkut.
  • Ndjesia e të vjellit.
  • Dhimbja e shpinës. Në disa raste pacientet mund të trajtohen për probleme ortopedike sepse përcaktimi i diagnozës së saktë është i vështirë.
  • Shfaqja e shenjave të diabetit – përcaktimi i diagnozës së kancerit të pankreasit mund të paraprihet nga diagnoza e Diabetit.
  • Ikter – zverdhja e syve ose e lëkurës.
  • Në raste të rralla mund të shfaqet prirje për tromboza, si dhe për tumore të llojeve të tjera.

Diagnoza:

  • Vizitë Gastro-Hepatologjike.
  • Ekografi Abdominale.
  • Ekoendoskopi (EUS).
  • Rezonancë Magnetike (MRI) e barkut.
  • Radiografia e Rrugëve të Pankreasit dhe të Tëmthit me rrugë endoskopike retrograde (ERCP).
  • Angiografi (MR).
  • CT Skaner dhe Angio CT.
  • Tomografia e Pozitroneve të Emetuara (PET).
  • Analiza Laboratorike:
    • Ca 50 dhe Ca 19-9 kanë vlerë për ecurinë post-operatore dhe/ose për kontrollin e recidivave (rikthimit të sëmundjes). Nuk janë specifike vetëm për kancerin e pankreasit sepse rriten dhe në sëmundje të tjera të traktit tretës.
  • Laparatomi – hapje kirurgjikale e barkut kur diagnoza është e vështirë dhe kur dyshimi klinik është i rëndësishëm.
  • Kur dyshohet për Karcinomë familjare të pankreasit mund të kërkohet edhe diagnostika molekulare gjenetike.

Trajtimi:

Vetëm pas vendosjes përfundimtare të diagnozës mjeku specialist rekomandon nëse trajtimi i pacientit do të jetë:

  • Endoskopik.
  • Kirurgjikal.
  • Me Kimioterapi.
  • Mjekim paliativ – në rastet kur ka metastaza dhe kur pacienti është i pa operueshëm.
  • Në rreth 15% të rasteve mund të bëhet heqje radikale ose totale, e tumorit. Kjo ndodh sepse është e vështirë që sëmundja të diagnostikohet në stad të hershëm, pra pa filluar përhapja e tij në nyjet limfatike apo në organet e tjera.
  • Në rastet kur heqja e tumorit bëhet në stade të herëshme që do të thotë kur është prekur vetëm pankreasi dhe nuk janë prekur gjëndrat limfatike pranë saj si dhe nuk ka metastaza ( Stadi IA / T1N0M0), 40% e pacientëve mund të kenë jetëgjatësi deri në 5 vjet.
  • Me përhapjen e tumorit në nyje limfatike dhe në organe, jetëgjatësia ulet në mënyrë të ndjeshme.

Parandalimi:

Si çdo lloj tjetër kanceri edhe ai i pankreasit është i vështirë për t’u parandaluar. Por, këshillat e mëposhtme mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për t’u prekur nga kjo sëmundje:

  • Ndalimi i konsumit të rregullt të alkoolit.
  • Ndalimi i konsumit të rregullt të duhanit.
  • Në rastin kur dyshohet për një sindromë të trashëgueshme, duhet që familjarët t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor periodik.