Hepatiti nga alkooli

09/08/2017

Gjithçka që ne marrim nëpërmjet ushqimit përpunohet në Mëlçi, duke përfshirë këtu edhe alkoolin. Mëlçia është organi i vetëm që redukton, përpunon apo shkatërron në një masë të konsiderueshme sasinë e alkoolit që ne konsumojmë. Por, mbrojtja nga intoksikimi (helmimi nga një sasi e caktuar alkooli) sigurohet vetëm në një periudhë të caktuar kohore nga mëlçia.

  • Konsumimi i përditshëm i 20-30 gram alkooli në ditë për gratë dhe mbi 45 gram alkooli në ditë për burrat jep dëmtime progresive të mëlçisë.
  • Konsumi i rregullt i alkoolit mund të ndikojë negativisht në organe të tjera jetike si truri, zemra, pankreasi, etj.
  • Konsumimi i alkoolit nga pacientë që marrin edhe medikamente e vështirëson shumë punën e mëlçisë.
  • Konsumi i alkoolit në sasira të konsiderueshme dhe në mënyrë të rregullt, e dëmton funksionin normal të mëlçisë, atë të detoksikimit.
    • Ky dëmtim çon në ndryshimin ose shkatërrimin e qelizave të mëlçisë, duke shkaktuar edhe depozitime yndyrore të mëvonshme.
    • Gjithsesi, në këtë stad mëlçia është akoma e rikuperueshme, dhe mund të shërohet duke normalizuar funksionin e saj, nëse ndërpritet konsumimi i alkoolit në mënyrë të menjëhershme.
    • Nëse konsumimi i alkoolit vazhdon, mund të kalohet në një stad tjetër. Në këtë stad mëlçia pezmatohet dhe në gjuhën mjekësore quhet Hepatiti Alkoolik ose Hepatiti nga Alkooli. Ky stad është vërtet i rrezikshëm pasi Hepatiti Alkoolik mund të zhvillohet, pa u vënë re, si një pezmatim kronik i mëlçisë (Hepatiti Kronik Etilik) e deri në Cirrozë të Mëlçisë. Komplikacionet e një Cirroze mund të jenë vdekjeprurëse.

Ankesat:

Një pjesë e pacientëve me Hepatit nga Alkooli mund të kenë ankesa si:

  • Lodhje.
  • Humbje të oreksit.
  • Fryrje të barkut.
  • Zverdhje të syve ose të lëkurës.
  • Shqetësime që lidhen me trurin si harresa, mos orientimi etj.
  • Mund edhe të mos kenë asnjë ankesë.
  • Ndjenjën e rëndesës nën harkun brinjor të djathtë

Diagnoza:

  • Vizitë Gastro-Hepatologjike.
  • Ekografi Abdominale.
  • Analizat Laboratorike:
    • Gjak komplet.
    • Funksioni hepatik (i Mëlçisë): Bilirubinë Direkte, Bilirubinë Totale, SGOT, SGPT, ALP, PCR, LDH, GGT, Fibrinogjen, Albuminemi.
    • Funksioni i pankreasit: Amilazemi, Amilazuri.
    • Funksioni renal (i Veshkës): Azotemi, Kreatinemi.
    • Sheqeri në gjak: Glicemi, HbA1C.
    • Proteina Totale.
    • Elektroforeza e Proteinave.
    • INR.
    • Lipidograma: HDL, LDL, Triglicerid, Kolesterol Total.
    • Hekuri në gjak: Sideremi, Ferritinemi.
    • Markerat tumoral: CEA, AFP, Ca 19-9, Ca 125.
    • Markerat viral: AgHbs, AntiHCV, HIV.
    • Uricemia.
  • Elastografia – Matja e elasticitetit të indit të Mëlçisë, e cila tregon gradën e zëvëndësimit të këtij indi me ind Fibrotik. Ky i fundit është një ind mbushës i cili nuk ka asnjë funksion të ngjashëm me indin normal të Mëlçisë.
  • Biopsia e Mëlçisë – e cila kërkohet nga mjeku vetëm në rastet e përparimit të sëmundjes në Fibrozë ose Cirrozë të mëlçisë.

Kujdes!!! Kontrolli i vazhdueshëm laboratorik i disa prej ekzaminimeve të mësipërme duhet bërë sipas porosisë së mjekut deri në normalizimin e tyre.

Trajtimi:

  • Ndërprerja e alkoolit në stad të hershëm të sëmundjes është hapi i parë i mjekimit për këtë sëmundje.
  • Marrja e medikamenteve hepatoprotektore, që mbrojnë qelizën e mëlçisë është jetik.
  • Evitimi i marrjes së medikamenteve për sëmundje të tjera.
  • Vitaminoterapi.
  • Mënyra e të ushqyerit dhe e jetesës në përgjithësi është gjithashtu pjesë e mjekimit.
  • Shmangia e konsumimit të yndyrnave shtazore.
  • Aktiviteti fizik prej të paktën 30-60 minutave në ditë është gjithashtu mjaft i rëndësishëm.

Parandalimi:

  • Duhet të evitohet konsumi i përditshëm i çdo lloj alkooli.
  • Duhet të evitohet konsumi i përditshëm dhe në mënyrë abusive i yndyrnave shtazore.
  • Duhet të evitohet jeta sedentare, duke bërë aktivitetin fizik pjesë të rutinës së përditshme.
  • Duhet të evitohet marrja pa kriter e medikamenteve.