Heliobakter Pilori

Heliobakter Pilori

Helikobakter Pilori është një bakter i cili gjëndet zakonisht në Stomak. Ky bakter mund të transmetohet nëpërmjet gojës. Burimet kryesore të tij janë:

  • Ushqimet e palara.
  • Ushqimet e papërpunuara.
  • Uji i ndotur.
  • Duart e palara.

 

Për shkak të formës së tij si “silurë” dhe disa bishtëzave në pjesën e fundit të trupit, ai penetron cipën jargore të stomakut dhe jeton midis kësaj cipe jargore dhe sipërfaqes së mukozës së tij. Këtu ai rritet, shumëzohet dhe nëpërmjet substancave që çliron vazhdon të dëmtojë gjithmonë e më tepër cipën jargore të Stomakut. Ai futet gjithashtu midis qelizave të kësaj cipe duke i ndarë ato nga njëra tjetra. Në këtë mënyrë ai shkakton sëmundje të ndryshme të Stomakut si Gastriti apo Ulçerat.

 

Në vijim, ky bakter mund të sjellë përmes dëmtimit të vazhdueshëm të mukozës së stomakut edhe lindjen apo zhvillimin e një sërë sëmundjesh të tjera më të rënda siç është edhe Kanceri i Stomakut. Si meshkujt, ashtu edhe femrat kanë të njëjtën mundësi për t`u infektuar me Helikobakter Pilori. Duhet thënë gjithashtu se ka persona të cilët janë të infektuar me këtë bakter por nuk shfaqin kurrë asnjë ankesë dhe nuk zhvillojnë kurrë sëmundje si Gastriti apo Ulçerat.

 

Simptomat tipike të infektimit nga Helikobakter Pilori lidhen edhe me sëmundjet që ai mund të shkaktojë. Më të zakonshmet janë:

  • Të përgjithshme:
    • Dhimbje djegëse në pjesën e sipërme të barkut.
    • Ndjesi e ngopjes.
    • Të përziera.
    • Çrregullime të jashtëqitjes.
  • Të lidhura me Ulçerën e Stomakut:
    • Dhimbje që forcohen pas marrjes së ushqimit
    • Dhimbje gjatë natës.
  • Të lidhura me Ulçerën e Duodenit:
    • Reduktim i dhimbjes pas marrjes së ushqimit
    • Dhimbje nga uria.

 

Diagnoza për Helikobakter Pilori është një ekzaminim rutinë i cili kryhet sa herë që lind dyshimi për diagnozën e një Gastriti apo Ulçere. Metodat e përdorura janë:

  • Kryerja e Gastroskopisë dhe përftimi i materialit indor Bioptik i cili dërgohet për ekzaminim mikroskopik.
  • Ekzaminimi i Feçes për Helikobakter Pilori.
  • Testi i frymës për Helikobakter Pilori.

 

Trajtimi i Helikobakter Pilorit kryhet zakonisht duke përdorur kombinimin i një frenuesi të acidit të Stomakut me dy antibiotike për një periudhë 7 ose 14 ditore.

error: Content is protected !!