EKG Holter 24/48H ose Holter Ritmi

EKG Holter 2448H ose Holter Ritmi

Çrregullimet e Ritmit dhe Çrregullimet e Përçimit të Impulsit në Zemër përfaqësojnë një grup të konsiderueshëm dhe të rëndësishëm në bashkësinë e Sëmundjeve Kardiake (të Zemrës). Për të diagnostikuar llojin e e Çrregullimit të Ritmit (Aritmisë) apo Çrregullimit të Përçimit të Impulsit, duhet monitorimi për një kohë të caktuar i funksionit elektrik të Zemrës. Ky monitorim realizohet me anë të vendosjes së një aparati specifik. Ky aparat është i përbërë nga:

  • Regjistruesi, i cili në të shumtën e rasteve nuk e kalon madhësinë e një aparati celular.
  • Disa elektroda, të cilat ngjiten në zonën e toraksit (gjoksit) të pacientit.

 

Aparati kryen regjistrimin e potencialeve elektrike të Zemrës për 24 ose 48 orë, si dhe në raste specifike deri në 7 ditë. Regjistrimi shkarkohet dhe përpunohet me anë të programit kompjuterik që shoqëron aparatin. Më pas është Mjeku Kardiolog i specializuar, që e përpunon dhe e kontrollon më tej deri në arritjen e diagnozës përfundimtare.

 

Gjatë mbajtjes së Holterit të Ritmit pacienti duhet të kryejë aktivitetin normal ditor, por duke qënë i vëmendshëm për të mos dëmtuar aparatin dhe për të mos hequr elektrodat. Gjithashtu, pacienti duhet të shmangë ekzaminimet me rreze X (si grafitë e ndryshme), dhe duhet të qëndrojë larg voltazheve të larta apo e fushave magnetike. Është e këshillueshme që pacienti të mbajë një ditar gjatë periudhës së regjistrimit, ku të përshkruajë në mënyrë kronologjike aktivitetin fizik dhe mendor të ditës, si dhe të gjitha shqetësimet që mund të ndjejë. Ky informacion do t’i shërbejë Mjekut në saktësimin e diagnozës përfundimtare.

error: Content is protected !!