Divertikujt e traktit tretës

09/08/2017

Divertikujt janë deformime, ose zgjerime nga brënda jashtë – në formë xhepi, të shtresës së brëndshme dhe të jashtme të murit tek disa organe të tubit tretës.

Organet të cilat preken nga kjo sëmundje janë:

  • Zorra e hollë.
  • Zorra e trashë, në mënyrë të veçantë Sigma (e cila është organi ku divertikujt takohen më shpesh).
  • Stomaku.
  • Ezofagu.

Pacienti mund të ketë një divertikul ose disa të tillë. Një sëmundje, kjo e fundit, e quajtur Divertikulozë.

Në disa raste sipërfaqja e brëndshme e divertikulit ose e divertikujve pezmatohet dhe atëherë kemi të bëjmë me Divertikulitis. Numri i të sëmurëve me divertikuj të traktit tretës (në mënyrë të veçantë ata të zorrës së trashë) në vëndet e industrializuara ka ardhur gjithmonë në rritje. Një nga shkaqet kryesore mendohet të jetë mënyra e të ushqyerit. Kjo sëmundje është më e shpeshtë pas moshës 50 vjeçare.

Disa shkakëtarë të mundshëm të divertikujve mund të jenë:

  • Një dietë ushqimore e vakët në fibra.
  • Konsumimi i tepërt i yndyrnave shtazore, i mishit të kuq, vezëve, dhe alkoolit.
  • Konstipacioni.

Ankesat:

  • Në 80% të rasteve të sëmurët nuk kanë asnjë ankesë. Në këto raste divertikujt zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve rutinë të aparatit tretës (Gastroskopia, Kolonoskopia).
  • Një pjesë e vogël e pacientëve kanë fryrje barku dhe gazra.
  • Dhimbje barku.
  • Çrregullime të jashtëqitjes (konstipacion ose diarre).
  • Humbje të oreksit.

Kujdes!!! Kur dhimbja e barkut shoqërohet me temperaturë e të vjella, mundësia më e madhe është që divertikujt të jenë të pezmatuar ose të infektuar. Dhimbja në këto raste mund të jetë aq e fortë sa e detyron të sëmurin të shkojë urgjent tek mjeku.

Diagnoza:

  • Vizite Gastro-Hepatologjike.
  • Gastroskopi.
  • Kolonoskopi.
  • Radiologjia me kontrast e tubit tretës
  • Analiza Laboratorike në gjak:
    • Gjak komplet.
    • Funksioni Hepatik (i Mëlçisë): Bilirubinë Direkte, Bilirubinë Totale, SGOT, SGPT, ALP, PCR, LDH, GGT, Fibrinogjen, Albuminemi.
    • Funksioni Renal (i Veshkës): Azotemi, Kreatinemi.
    • Hekuri në gjak: Sideremi, Ferritinemi.
    • INR.
    • Glicemi.
    • Elektrolitet (Ca, K, Mg, Cl, Na).
  • Analiza Laboratorike në feçe dhe urinë:
    • Urinë komplet.
    • Feçe Kandida.
    • Koprokulturë.
    • Feçe Parazit.
    • Antigen Fekal për Helikobakter Pilori.
    • Feçe Gjak Okult.
  • Ekografi Abdominale.

Trajtimi:

  • Ndërhyrja kirurgjikale rekomandohet në raste komplikacionesh, si:
    • Hemorragjia
    • Kur kemi të bëjmë me një numër të shumtë divertikujsh të cilët kanë si komplikacion të mundshëm perforacionin (çarjen) e zorrës.
  • Në rastin e infektimit të divertikujve, si dhe në infeksione të tjera bakteriale, rekomandohet marrja e antibiotikëve sipas indikacionit të mjekut në mënyrë që të shmanget ndërhyrja kirurgjikale.
  • Divertikujt mund të hiqen me rrugë kirurgjikale ose mini-invazive nëpërmjet laparoskopisë.
  • Rregullimi i dietës dhe i mënyrës së ushqimit. Dieta mesdhetare është shumë e këshillueshme duke përfshirë fruta, perime, dhe ushqime të tjera me përmbajtje të lartë fibrash. Gjithashtu, duhen shmangur ushqimet e yndyrshme, mishi i kuq dhe vezët.

Parandalimi:

Kryerja e Kolonoskopisë pas moshës 50 vjeç është e këshillueshme për evidentimin e hershëm të kancerit të zorrës. Me anë të këtij ekzaminimi bëhet njëkohësiht dhe evidentimi i hershëm i divertikujve.

  • Një dietë ushqimore e pasur me fibra është e këshillueshme për të parandaluar këtë lloj sëmundje. Personat, të cilët, nuk konsumojnë fibra mjaftueshëm mund të jenë më të predispozuar për të vuajtur nga kjo lloj sëmundje.
  • Jeta aktive mund të luajë një rol pozitiv në parandalimin e divertikujve.