Dieta per Ulçeren dhe Gastritet

09/08/2017
Dieta per Ulçeren dhe Gastritet

Simptomat e ulçerës dhe gastriteve, të cilat përfshijnë diskomfort, dhimbje, ose djegie në pjesën e sipërme të abdomenit, shpesh shfaqen afërsisht 1(një) orë pas ushqimit. Pavarësisht, se dieta ushqimore nuk është shkaktar direkt i ulçerave të ndryshme, ajo ngelet një pjesë shumë e rëndësishme e planit të trajtimit së bashku me medikamentet dhe mënyrën e jetesës. Ka disa ushqime që e përkeqësojnë ulçerën dhe ngadalësojnë proçesin e shërimit.

  • Ushqimet problematike përfshijnë:
    •  Çdo lloj piperi.
    •  Çdo gjë që përmban kafeinë.
    •  Kafeja dhe çaji (edhe ato pa kafeinë).
    •  Kakao, çokollata.
    •  Agrumet, domatja dhe lëngjet e tyre.
    •  Ushqimet e yndyrshme dhe ato të skuqura.
    •  Bishtajoret (fasulet, bizelet, mashurkat, etj).
    •  Mentja.
    •  Alkooli.
    • Këto duhet të eliminohen krejtësisht nga dieta, përveç rasteve kur vetë mjeku i ka lejuar. Rregullime të mëtejshme mund të bëhen duke u bazuar në tolerancë personale të ushqimeve.
  • Qumështi mund të konsumohet si ushqim dhe jo si ilaç. Sasia ditore e konsumuar nuk duhet të kalojë 100-150 ml.
  • Mos pini lëngje gjatë ngrënies, sidomos ujë të gazuar ose pije të tjera me gas.
  • Mos përdorni pije shumë të ftohta dhe ushqime shumë të nxehta.
  • Mos përdorni shumë kripë.
  • Ushqimi duhet të përtypet mirë, dhe jo të gëlltitet pa u përtypur.
  • Ushqimi duhet të konsumohet ngadalë dhe pa u nxituar. Merrni kohën e nevojshme per të ngrënë duke u përtypur dhe gëlltitur me ngadalë.
  • Ndaloni duhanin. Nikotina ngadalëson proçesin e shërimit të ulçerës.
  • Duhet të prisni minimalisht 2(dy) orë para se të flini. Evitoni ngrënien 2 (dy) orë para orarit të zakonshëm të gjumit ose ngrënien në orët e vona të natës.
  • Përjashtoni nga dieta juaj ushqime që iu krijojnë siklet në stomak, pavarësisht nëse janë në këtë dietë apo jo. Çdo organizëm është i ndryshëm nga tjetri dhe për pasojë reagon ndryshe ndaj ushqimit. Ka ushqime që disa individë i tolerojnë kurse disa të tjerë jo. Ju duhet të jeni në gjendje të mësoni çfarë ushqimesh mund të tolerojë organizmi juaj dhe çfarë jo.
  • Medikamentet e mëposhtme nuk duhen përdorur:
    • Hollues gjaku si aspirina (salospir, kardiopirinë etj), plavix, sintrom etj.
    • Kortizoni.
    • Qetësues dhimbjesh si (Indometacinë, Aulinë, Advil, Ketoprofen, Ibuprofen, Voltaren etj).
    • Këto medikamente mund të ngadalësojnë ose ndalojnë proçesin e shërimit të ulçerës.
  • Evitoni stresin sa të mundeni.
Grupimi Të shmangen Këshillohen
Qumështi dhe nënproduktet Qumështi normal (4% yndyrë). Kosi pa yndyrë (max 1-2%), djathi i njomë.
Zarzavatet Zarzavatet e skuqura ose të bëra krem. Të gjithë zarzavatet e tjera – asnjëherë të pabëra, të forta, të pagatuara
Frutat Agrumet si limon, portokall, qitro etj. Mollët, dardhat, pjeshkët, pjeprat, bananet, frutat e pyllit – asnjëherë të pabëra.
Buka dhe drithërat Të gjitha ato që janë bërë me qumësht normal (4% yndyrë) ose me  yndyrë të lartë. Ato të bëra me pak yndyrë dhe asnjëherë të ngrohta –gjithmonë të ndënjura.
Mishi dhe nënproduktet Çdo lloj mishi me dhjamë, salçiçet, pancetta. Mishërat e bardha pa dhjamë e yndyrë, pula, peshku (pa lëkurë)
Yndyra, vajrat Të gjitha llojet e yndyrnave dhe vajrave shtazore. Yndyrnat bimore në sasi të vogla.
Ëmbëlsirat Çokollatat, të gjithë ëmbëlsirat e bëra me yndyrna ose vajra. Të gjitha ato të bëra pa ose me sasi shumë të vogla yndyre (më pak se 3g yndyrë për njësi).
Pijet Pijet alkoolike, kafeja (me ose pa kafeinë), pijet me gas, çajrat, çaji me mente. Pijet pa kafeinë (përveç kafes), çajrat bimorë pa mente, lëngjet (përveç atyre të agrumeve dhe domates), ujë.
Supërat Supërat me pulë, mish viçi, qumësht ose supërat krem. Supërat pa ose me pak yndyrë.

Çfarë janë shkruar më sipër përcaktojnë kufijtë e përgjithshëm të dietës tuaj nëse vuani nga ulçerat apo gastritet. Çdo organizëm është i ndryshëm nga tjetri dhe për pasojë reagon ndryshe ndaj ushqimit. Ka ushqime që disa individë i tolerojnë kurse disa të tjerë jo. Ju duhet të jeni në gjendje të mësoni çfarë ushqimesh mund të tolerojë organizmi juaj dhe çfarë jo, në mënyrë që ta personalizoni dietën tuaj sa më mirë.

Shkarkoni PDF