ABPM 24/48H ose Holteri i Tensionit

ABPM 2448H ose Holteri i TensionitHolteri i Tensionit është një aparat i përshtatur për monitorimin e Tensionit Arterial kryesisht gjatë 24 ose 48 orëve. Në disa raste Tensioni mund të monitorohet edhe më gjatë, nëse Mjeku Kardiolog e gjykon të arsyeshme.

 

Aparati përbëhet nga një manshetë, e ngjashme me ato të aparateve të zakonshëm të Tensionit, e cila lidhet me një matës të programuar. Ky matës regjistron vlerat e Tensionit Arterial sipas programimit të caktuar nga Mjeku Kardiolog. Përpunimi i të dhënave nga aparati kryhet nëpërmjet programit kompjuterik dhe njohurive të Mjekut Kardiolog të specializuar. Zakonisht gjatë ditës matjet programohen çdo 15-30 minuta, kurse natën çdo 30-60 minuta.

 

Kjo ndodh për t’i dhënë mundësi pacientit të bëjë një gjumë të rehatshëm dhe njëkohësisht të mund të regjistrohen vlerat e Tensionit jashtë stresit.

 

Mbi 50% e popullsisë në moshë mesatare vuan nga HTA Esencial Idiopatik. Duke ditur rëndësinë e kësaj sëmundje për dëmtimet në Zemër dhe komplikacionet në organe të tjera, monitorimi i Tensionit Arterial me anë të Holterit të Tensionit është thelbësor.

Me anë të këtij ekzaminimi Mjeku Kardiolog kërkon:

  • Të vëzhgojë vlerat e Tensionit gjatë 24/48 orëve, në mënyrë që të përqëndrojë mjekimin aty ku duhet.
  • Të vëzhgojë efektin e medikamenteve të Tensionit:
    • Gjatë ditës.
    • Gjatë punës normale.
    • Në kulmin e stresit të punës.
    • Në orët e qetësisë.
    • Gjatë aktivitetit fizik.
  • Të vëzhgojë vlerat e Tensionit kur ndërrohet mjekimi, kur rritet doza e tij, dhe/ose kur shtohet një mjekim i ri.
  • Të vëzhgojë vlerat e Tensionit kur ato nuk janë të qëndrueshme dhe kur ka oshilacione të shumta.
  • Të vëzhgojë vlerat e Tensionit kur pacienti ka një sëmundje tjetër shoqëruese e cila trajtohet me medikamente që mund të ndikojnë në vlerat e Tensionit.

 

Monitorimi i Tensionit ëshë shumë i nevojshëm edhe tek pacientët që mjekohen me medikamente të cilat hollojnë gjakun (si Aspirina, Xarelto, Warfarina, etj). Arsyeja kryesore është sepse këta pacientë janë më të predispozuar për të kaluar Aksidente Cerebrovaskulare (të Trurit).

 

Gjatë mbajtjes së Holterit të Tensionit pacienti duhet të kryejë aktivitetin normal ditor, por duke qënë i vëmendshëm për të mos dëmtuar aparatin dhe për të mos hequr ose shkëputur manshetën.Gjatë momenteve që aparati kryen matjet pacienti duhet:

  • Të mbajë krahun të shtrirë dhe mundësisht në nivel me Zemrën.
  • Të mbajë shënim aktivitetin ditor gjatë periudhës së matjeve.

 

Holteri i Tensionit mund të vendoset më shumë se një herë tek disa pacientë.

  • Tek pacientët që vuajnë nga HTA dhe nuk kanë marrë ndonjëherë mjekim, Holteri i Tensionit vendoset fillimisht për të mësuar vlerat minimale e maksimale të Tensionit gjatë ditës dhe natës.
  • Më pas ai vendoset pasi ka filluar mjekimi për të vëzhguar efektin e medikamenteve, të dhëna nga Mjeku Kardiolog.
error: Content is protected !!